Sunday, December 6, 2020

Retreat- Terheqje shpirterore- Meditim

 Mirëmëngjes nga Maryland . Jemi duke udhëtuar drejt një vendi ku do kalojmë ca orë për të ushqyer shpirtin. Po shkojmë në Bazilikën e Shenjtores Elizabeth Ann Seton, e para Shenjtore lindur në Amerikë. Sot është e Shtuna e Parë e stinës së Ardhjes. Në këto katër javë zakonisht duhet gjetur pak qetësi e të pastrojmë shpirtin ashtu siç pastrojmë shtëpinë kur përgatitemi për raste shumë speciale. Zakonisht këtë të shtunë të parë të Ardhjes bëhen edhe festa nëpër mëhalla e lagje, sipas shoqërisë e miqësisë. Mbase sivjet për shkak të virusit korona nuk do ketë as shumë pazare as shumë festa nëpër shtëpia. Por një gjë është e pandryshueshme, 25 Dhjetori do vijë. Krishtlindja do na risjellë në kujtesë e do e do na riprezantojë atë moment kur në të ftohtë e në acar , në një stallë, në Betlehem u lind Jezusi. Zoti i mishëruar. Nëna e tij është Maria , më e pastra në trup e në shpirt.Ajo orë e Krishtlindjes qoftë e bekuar dhe në atë orë lutjet tona u dëgjofshin e u pranofshin. E mirëpritshim Krishtin me zemër të hapur e shpirt të pastër.

Po dëgjojmë himne që janë përgatitur për këtë stinë nga murgeshat Benediktine.
Ju premtoj se ju kam me vete në zemër e do lutem për ju. Një fundjavë të këndshme

E Diela e Dyte e Ardhjes se Krishtit (Advent)

 E Diel, 6 Dhjetor 2020


E Diela e dytë e stinës së Ardhjes së Krishtit( Advent). Sot ndezëm qiriun e dytë të kurorës së Adventit. Kisha sot fton besimtarët të njihen apo riprezantohen me fjalët e profetit Isaia që ka thënë :” bëni gati rrugën e Zotërisë, rrafshoni shtigjet e tija” Mk. 1:3.
Po ashtu na kujton e fton të njihemi ose rinjihemi me Gjon Pagëzorin. Ai ,si të thuash ishte “zëri” që prezantoi e solli Fjalën e Zotit. Ai rrinte i veshur veç me lëkurë deveje , me një rrip në mes, pa ushqehej vetëm me karkaleca dhe mjaltë nga pylli . Ai dilte nga shkretëtira “e predikonte një pagëzim pendese për faljen e mëkateve” Mk. 1:4. Kjo javë që vjen është java që ne duhet të “shkundim shtëpinë tonë të brendshme” nga çdo gjë që na mban larg Zotit. Të ndalojmë veprat e keqe, të identifikojmë vesin e ta luftojmë atë me virtytin që e rrafshon atë, të bëjmë vepra bamirësie e të duam të mirën e personave që na rrethojnë. Por paralelisht edhe të falim ata që na kanë shkatuar dëme. Shenjtërimi ynë do rritet në proporcion të drejtë me aq sa ne falim ata që na kanë dëmtuar ne. Jo të bëhemi miq të afërt pas kësaj, por ta lemë të ikë ai zemërim e hidhërim që na shton trishtimin. Kaq na kërkohet, të mos jetojmë me zemërim e hidhërim nga veprat e këqia të të tjerëve ndaj nesh, por të kalisim shpirtin duke mësuar nga e shkuara e duke bërë atë gjë që rrit lavdinë e Zotit e pakëson egon e krenarinë tonë. Kjo flakë e qiriut qoftë si në vazhdim i lutjes sonë për pastrimin e shpirtit këtë javë