Thursday, September 6, 2018

Disa vargje nga Merita

FALMËNI!


Kam kohë që s'kam shkruar ndonjë varg
A të krijoj ndonjë vjershë me rimë
Koha, ah kjo fajtore, që s'di të ndalojë
Më ka "vjedhur" muzën dhe qetësinë



Por sot, diç ndjeva, të më shtyjë
Diç ndjeva, vargut, m'i dha udhë
Është dhimbje, forcë, mall a gaz?
Ah, se ç'më preku, ç'më dha muzë!

Në ju gjetshin këto vargje
Këtij mëngjesi, a muzgut sonte
Falmëni, për mallin që më morri...
Falmëni, për shpirtin që vend kërkonte....



Sonte
U stepa nga bukuria e sime bije

U mallëngjeva nga sytë e saj të kaltër

Tek më shihnin plot habi!

Më kujtuan sytë e përlotur të nënës

Kur më përcolli së fundi...

U mrekullova pastaj

Nga kërshëria e syve të djalit

Të mëdhenj, kërkues

Plot kurreshtje e mendim

Sikur donin të më gjenin

Të fshehtën e shekullit

Zhbirues deri në pafundësi

Më kujtuan sytë e Atit, kur gaboja

S'ishte vendi për fjalë,

Veç sytë e kishin thënë

Atë që fjala s'mundet

Sonte më mallëngjyen

Sytë e kaltër të sime bije

Veshtrimi ngulmues i tim biri

Unë Nëna e tyre,

Sonte jam e pafuqishme

t'i bëj ballë largimit...



Brezi im...


C'i bëra vetvetes sonte
Ja vodha gjumin, këngët
Ja prisha vargjet, i rashë më qafë
e bëra të vajtojë, të mbajë zi
për këtë gjeneratë.

Brezi im i munduar
epokës së re i vjen rrotull
ke mbetur në udhëkryq
gjenerata ime e lodhur


Djemtë e brezit tim
nuk e shijuan dot
bukurinë vasherore


Vajzat e brezit tim
mbeten pa fëmijë në bark
"vejusha" mbeten"

pa burrat e vdekur
fëmijët të mëdhenj e të rritur
s'e njohën dot t'Anë.


Pengesë "emigracion ilegal"
per nje copëz bukë më të butë
për pak ujë për të pirë pa qenë etur
për pak dritë në strehëzën e rremë


për të vdekur larg e mos u tretur
për mallin që shpirtra dogji
që merr jete pa marrë shpirtin më parë
brezi im i bekuar,

ne udhëkryq epokal,

C'të bëjë më parë ?


Të kthehet djathas, majtas
a të marrë rrugën e mbrame,
përpara s'ka dritë të shohë matanë!


Brezi im i plakur
pa i ndritur mustaqja djaloshare
vajzat e bëra gra nga mosha...
pa burrat në shtrat,
fëmijët, dhe prindrit, te pafajshmit
trauma dhe plagë e brezit tim...

ja ç'i bera vetes dhe juve sonte...
gjeneratës sime...

ca vargje si vajtim...!




Nënës sime


Falenderim

Në krahët e shqipes



Si një zog i vogël

pa krahë, pa sy,

që s'di ç'është qielli hapur

fshehur diku nën një degë

e pafuqishme,e vogël

kam qënë !

Derisa një ditë,

në krahë më mbarte

Më tregove qiellin

Si shqipja, në fluturim

Atehëre kam ndjerë

Se si m'i dhe krahë trupit

Edhe shpirtit tim..



Unë dhe ti - nën një çadër

Cadrën mbajmë të dy sonte

Shiu i rrembyer na ka lagur

Cuditerisht çadrën shtrëngojmë

Ecim,rrugës ,sytë e shpirtit hapur

Ecim rrugës pa krye, pa fillim,pa dritë

Cadrën e rreckosur mbajmë sipër kokës

Duke ëndërruar për shiun të pushojë

Të thajmë trupin, flokët, rrobat

Mbase dhe zemrat e lagura

Cadrën mbajmë si jeta,elementin tokë

Duam të besojmë në diçka, mbase dhe gënjeshtrën

Që ndoshta një sup i lagur s'është asgjë

Presim ylberin tani, të dy me sytë nga qielli

Nuk flasim, ndjemjë dridhjet,ankthin

Të dy, me sytë lart, ku pritet dielli

Mendojme ,pyesim.,kur laget shpirti

Përpelitjet e tij, cila çadër i mbulon?

Jemi të dy mesantës, vetëm,të lodhur

Në heshtje, pyesim, vallë c'ditë po agon?





Lutje


Zot, pak ,vetem pak..më lerë të shoh

shkëlqimin yllëzor që rrezaton

fjala, flladi,deti,ëndrra,poezia

cdo gjë që vendlindjen më kujton

më bëj të ngrihem nga mendimi

ku jam zhytyr, lodhur nga rrugët e gjata

nga pagjumësia e shpirtit të rraskapitur

që troket çdo ditë portave të mërgimit

shpesh herë pa shpresë, pa dritë, pa siguri

më lerë të prehem pak, Zot,

në ëndrrën irreale, të gjej pak Shqipëri



Pastaj më trego si të prek ujvarën e zhurmshme

petalet e luleve, të imagjinatës, jetës

të ngrihem të hedh tutje mundimin

të prek gurgullimën ,premtimin e shpresës

motivin e mirë më jep të marr fjalën

me të të ngrej "kala" shpirti për botën e tërë

pastaj të këndoj si në rininë e hershme

shpirtin më bëj, o Zot, si deti, të gjerë...


Zgjohu!!
Zgjohu....erdhi agimi

shih rrezen e diellit

nga dritarja të përshëndet

s'e ndjen zërin e zogut

nga dega frut-ngarkuar, të thërret

zgohu s'e ndjen flladin?

që perden të përkund

mbi ballë dorën e largët

mes ëndrrës tënde sikur sjell

që ëmbël , si dorë e mëmës

që ke larg, bukur, të përkëdhel..

zgjohu paçka se ëndrra

të mban në krahët e saj

zgjohu ka ardhur ditë e re

me shpresë, më e mirë se dje

zgjohu, piklat e vesës

të prekësh tek vrapon barit te gjelbër

fundin e ëndrrës ja lerë harresës..

zgjohu, preke natyrën që qesh

lexo këto vargje, gëzim të ndjesh

zgjohu, ëmbël ,qesh si vetë drita

e ndjen, mes vargjesh zgjimin tënd prita!


Merita B.McCormack

Washington DC

No comments:

Post a Comment