Thursday, September 6, 2018

Peter Prifti: Recence per poezine e Merita B.McCormack

Mendime për librin “Tinguj Malli” të Merita Bajraktari McCormack

Nga Peter R. Prifti


Ky vëllim me poezi më tërhoqi, qysh në fillim, jo vetëm nga temat me interes që trajtohen brenda faqeve të vet, por edhe për vlerat e njohura letrare dhe artistike si: imazhe të gjetur, metaforë të bukur, gjuhë me shprehje origjinale, stanxa me rimë e kështu me radhë.
Thonë se një libër nuk njihet nga kopertina; më sakt, nga titulli që mban. Për ta kuptuar, ai duhet lexuar më parë. Por në rastin e librit Tinguj malli, mund të themi se ai njihet nga kopertina, sepse titulli përputhet bukur fort me përmbajtjen. Tema kryesore e librit është malli dhe nostalgjia që vlojnë në zemrën dhe shpirtin e autores. Ajo ka nostalgji zemër-çjerrëse për vendlindjen e saj, gjë që duket sidomos në poemat si: “Bukuria e vendlindjes”, “M’u lind sot një nipçe” (në Shqipëri), “Më jep”, dhe “Më pikoi një lot”.
Një nga poemat më të arrira është “Atij që më ka rrëmbyer zemrën”, që shfaq dashurinë e mëmës për fëmijën, dhe konkretisht dashurinë e zjarrtë të autores mëmë, për fëmijën e saj. Poema në fjalë përfaqëson një kategori të tërë të vjershave të këtij lloji, që vënë në dukje ndjenjat intime, mallin dhe dashurinë e thellë të autores për familjen dhe të afërmit e saj.
Merita McCormack paraqitet në këtë vëllim edhe si femër me shpirt romantik të theksuar. Një nga poezitë që pasqyrojnë më së miri zemrën e ndezur flakë nga dashuria romantike, është ajo me titullin urgjent “Eja me mua”. Kjo shquan jo vetëm për shprehjet e zjarrta të zemrës, që bëhet pre pa shpëtim e Eros-it, por edhe për metaforat e bukura të vargjeve si këta: “në do yjet si çati”, “hënën dritë dashurie”, “tokën shtrat dashuror”. Në këtë grup hyjnë edhe poemat “Si mund t’i them zemrës?” “Skllav”, dhe “Po ti?”
Një tipar tjetër i vëllimit është optimizmi që karakterizon botëkuptimin e autores. Në vjershën “Gëzo ditën!” ajo shpreh natyrën e saj optimiste, dhe orienton lexuesin që të shohë edhe ai anën e mirë të jetës, gjërat e bukura të botës, dhe t’i gëzojë ato me mirënjohje dhe përunjësi.
Poetesha Merita ka ndjenjë intuitive për gjuhën shqipe, si dhe njohuri për botën e psikologjisë. Një shembull i mirë i kësaj njohurie është poezia “Vrasja e shpirtit”, ku ajo depërton në psikologjinë e gruas, dhe vë në dukje esencën e natyrës së saj, pra, shpirtin delikat që, ndryshe nga trupi i saj i fortë si gur, thyet si qelqi nga fjala e ashpër. Një shembull tjetër që flet për botën e gruas është vjersha “Njoh një grua”. E ndërtuar me pesë stanxa dhe me vargje me rimë, kjo vjershë ka karakterin e një elegjie e cila, nga një anë ndriçon dhe lavdëron natyrën e gruas, dhe nga ana tjetër bën apel apo thirrje që ajo të vlerësohet për zemrën e saj plot dhembshuri, si dhe për vullnetin heroik që e dallon atë në punët e saj, gjatë rrugës së jetës.
Poezitë më të mira në këtë vëllim shquajnë dhe nga imazhet e ndezur që përshkojnë vargjet e tyre. Tipike është poema “Kupa e hidhërimit”, ku autorja shpalos me mjete të fortë poetike hidhërimin pa kufi që i solli humbja e një miqësie. Në përgjithësi, qendra e vëmendjes së saj janë njerëzit; janë fëmija, familja, dashnorët, shoqëria. Por aty-këtu, ajo interesohet edhe për Natyrën, edhe për filozofi, gjë që dëshmon për përmasat e gjera të botëkuptimit të saj.
Merita Bajraktari McCormack përfundon veprën e saj në mënyrë origjinale, dhe pikërisht me një poemë të titulluar “Nëse fjala ime në varg”, ku ajo shpreh sinqerisht ndjenjat e saj të ngrohta e të urta për lexuesin, duke shpresuar se ai do të mbetet i kënaqur me krijimtarinë e saj poetike. “Ju kam dhuruar shpirtin tim”, thotë ajo në këta vargje. Fjalë prekëse, vërtet. Ky është një gjest i bukur, që rrëfen qartë karakterin e saj fisnik, dhe respektin që ka për lexuesin.

San Diego, Kalifornia
Maj, 2007

No comments:

Post a Comment