Sunday, August 26, 2018

Prinderim Shqiptar ne Troje te Huaja


Prindërim shqiptar në troje të huaja
Eksplorim I një vlere shpirtërore- Dashuria…
Merita B. McCormack
Shprehja “Prindrit nuk i kupton askush derisa dikush bëhet prind vetë” është kaq e saktë, sa relativiteti i ndonjë pasaktësie është përafërsisht i barabartë me zeron absolute. Që kur kam lindur fëmijën e parë, që tashmë është në moshë delikate - atë të adoleshencës - dhe më vonë dy fëmijët e tjerë më të vegjël, që po i afrohen “me shpejtësi” adoleshencës, mua më ka shkuar mendja shpesh tek prindrit e mij, dhe që atëherë vlerësimi im është më i përkushtuar ndaj tyre për gjithçka ata kanë bërë për mua. Kur mendoj se John dhe unë hasim vështirësi të ndryshme, të cilat as që mund të krahasohen me vështirësitë që kanë kaluar prindrit e mij, ndjej në shpirt se çfarë kanë ndjerë ata dhe respektoj mundin e tyre. I falenderoj ata shpirtërsiht dhe botërisht. Por teksa përulem me respekt dhe vlerësim ndaj punës titanike të prindërve tanë, apo gjeneratës së prindërve tanë, nuk mund të rri pa shprehur merakun dhe ankthin, pyetjet, sfidat e përditshme që ne hasim si prindër shqiptarë në një botë jo shqiptare. Avantazh për të kuptuar më mire mjedisin ku jetoj kam John, bashkëshortin, që është jo shqiptar dhe lehtëson njohurinë time, por për shkak të konvergimit të ideve lidhur me prindërimin, John dhe unë e gjejmë vetën në të njëjtat “këpucë prindërimi” – (me humor këtë konvergim shpesh ia atribojmë infulences shqiptare”).
Pra cilat janë ato gjëra më të mira që duhen qëmtuar e mbi të cilat duhet vepruar?
Kjo vlen për mua dhe besoj se edhe për të gjithë prindrit e tjerë me gjak shqiptari në troje të huaja.
Si mund të gjehet një e mesme optimale ku të mirat e prindërimit shqiptar të gërshetohen me më të mirat e prindërimit të botës joshqiptare. Çfarë është universale dhe çfarë është unike?
Ndonjëherë, kur e gjej veten mes miqsh shqiptaro-amerikanë, shpesh i pyes për çështje specifike lidhur me rritjen dhe edukimin e fëmijeve. Herë marr këshilla si: “Ne jemi shqiptarë”, “fëmijës duhet t’i rrish çekan mbi kokë”, ”fëmija do të rrëzojë edhe hënën përtokë”, “ne nuk jemi si amerikanët” etj… Herë më thonë ”ne jemi në Amerikë tani, gjërat s’janë si në Shqipëri”, ”lerë vajzën të bëjë si të gjtiha shoqet”, etj., shprehje këto që barazpeshojnë anën tjetër të segmentit.
Sa herë që ndodh kështu, apo e gjej veten në dilema të tilla për vendimmarrje, unë e gjej veten në bisedë me vetveten, pyes se si do kishin vepruar në kushte të tilla prindrit e mij. Përgjigja është gjithmonë e njëjtë: Ata s’do kishin bërë tjetër gjë, përveç asaj që kanë berë, pra vendimmarrjet e tyre do ishin po ato që ato morrën atëherë. Kur shkoj pak më tutje dhe pyes pse pikërisht atë apo këtë vendimarrje, përgjigja është DASHURIA PRINDERORE. Prindrit e mi do më kishin dashur njëlloj siç më kanë dashur e duan në Shqipëri e gjetkë. Ata janë nisur nga dashuria për fëmijën për të marrë një vendim për çfarëdo qoftë. Ata kanë lënë dashurinë e tyre të jetë udhërrëfenjëse, dashuri që buron nga marrëdhënia me të Gjithëpushtetshmin dhe reflektohet mes njerëzve, mes prindërve dhe mes tyre për fëmijën.
Natyrisht, gjeneratat dhe kushtet materiale ndryshojnë, por dashuria prindërore, formë e dashurisë njerëzore, shëmbëlltyrë e Krijuesit dhe dashurisë së tij, nuk ndryshon kurrë.
Kjo më ngroh zemrën, sepse është dashuria ajo që udhëheq, që mbron, është dëshira e mirë për ta parë fëmijën të shëndetshëm, besimtar, të suksesshëm, të respektuar, dhe kështu frika e meraku lehtësohet, prindërimi realizohet. Kjo më jep atë shtysën kryesore të gjej zgjidhjen përkatëse në situata të veçanta, në momente të veçanta. Gjithmonë duhet kujtuar: duaje fëmijën dhe vendos mbi atë dashuri. Por nga ana tjetër, në rastin tim, unë nuk ngurroj t’i kujtoj fëmijës edhe faktin “mos harro se je shqiptar/e”. Kjo sikur i vë vulën deklaratës prindërore, apo e ligjëron prindërimin. Është ajo “prapashtesa “ e domosdoshme, por më tepër mua më duket se kjo sikur më mbron mua më shumë se sa fëmijën që nuk e kupton se si të qënit fëmijë me gjak shqiptar qenka ndryshe nga çdo lloj rrace tjetër në botë. Por është interesante të dëgjoj fëmijën tim në telefon tek i thotë shoqes së vet: “Më duhet të pyes njëherë në jam e lejuar, pasi mund të jetë diçka nga ato ”ne jemi shqiptarë dhe kjo nuk lejohet”.
Sa herë dëgjoj të tilla biseda, natyrisht unë buzëqesh me vete, por edhe ndjehem e çliruar, pasi fakti i besimit në të qenit shqiptar që shoqëron një farë disipline ndryshe, ka bërë efektin, të pakten deri tani.
Ndërsa unë e përdor si shprehje për të mbuluar pasigurinë time dhe mungesën e argumentit të barazvlefshëm me moshën e fëmijëve të mij, pasi nuk jam rritur këtu, fëmijët e mij pa shumë komplikime, dijnë që të qënit shqiptar është një atribut i veçantë që i jep atyre privilegje të caktuara por edhe i ndalon nga rreziqe të caktuara.
Mbase një ditë, qofshim si jemi me vullnetin e Zotit, do të kemi debate mbi “jemi shqiptarë dhe nuk bëhet ndryshe”, por për momentin, ky lloj prindërimi, bazuar mbi vlerat themelore dhe mbi dashurinë e pastër dhe dëshirën e mirë, gërshetuar me eksperiencën e prindërve të mij, shqiptarizmin pra, si element, është i këndshëm, interesant dhe pa shumë dhimbje koke.
(Merita B. McCormack jeton me bashkëshortin dhe tre fëmijët e saj në Mclean Virginia dhe mund të kontaktohet në adresën merita@federatashqiptarevatra.com)

No comments:

Post a Comment