Monday, August 27, 2018

Ylli Polovina shkruan per nje vizite ne Ministrine e Jashtme

"Shqiperi mos ki frike, se ke çupat ne Amerike!"
Botuar në "Tirana Observer", 4 Nentor 2007

Forma e vërtetë e këtyre vargjeve të thurrura nga Fan Noli
është "Shqipëri mos ki frikë, se ke djemtë në
Amerikë!" Dihet tashmë se në kohën e vet ky ka
qënë një kushtrim, një parrullë mobilizimi, një kod
solidariteti, një formulë kurajoje e besimi, një thirrje për
mbrojtje të Shqipërisë. Krijesa fanoliane nuk është aq
letrare sa duket fillimisht. Nuk ishte po ashtu, për kohën kur u
hodh në letër dhe u përsërit gojë më gojë, gjë e
pamundur, edhe pse SHBA janë shumë larg gjeografikisht, për
të ardhur deri këtu duheshin shumë shpenzime, kohë e
gjatë udhëtimi etj. Në dekadat e para të shekullit të
shkuar nuk mund të ndodhte ajo që ngjau në vitin 1999, kur prej
shqiptaro-amerikanëve u krijua deri edhe batalioni
"Atllantiku", i cili luftoi për çlirimin e Kosovës.
Luftëtarët vullnetarë mbërrinin në aeroportin e
Tiranës brenda një gjysme dite.
"Ke djemtë në Amerikë" linte të kuptonte se
shqiptarët si në legjendë do të kapërxenin oqeanin e do
të ndodheshin aty, në hallin e madh të vendit të tyre.
"Ke djemtë në Amerikë" donte të thoshte se me
Shqipërinë ishte shteti më i zhvilluar e më fuqishëm
në botë. "Ke djemtë" në gjuhën e kohës donte
të thoshte po ashtu se luftëtarët e çështjes kombëtare
ishin të përfytyruar si meshkuj, të gjithë të rinj në
moshë. Edhe pse Fan Noli dhe e gjithë elita jonë e atyre viteve
të shtyra thellë në shekullin e shkuar e dinin se femra
shqiptare, vajzë apo grua, kishte qënë një luftëtare po
aq e paepur sa edhe vëllai apo bashkëshorti i saj, paragjykimi i
kohës peshonte jo pak. Kur Noli thurri ato vargje, madje edhe dy-tre
dekada më pas, rolin e grave në pjesët teatrore të vëna
në Shqipëri i luanin akoma meshkujt.
Mirëpo tani, kur bëhet fjala për SHBA-në, mund të
shkruhet e përsëritet gojë më gojë varianti i ri i vargut
fanolian: "Shqipëri mos ki frikë, se ke çupat në
Amerikë!"
Bashkëkombaset tona, pas rënies së diktaturës, kanë
emigruar e janë vendosur gjithkund nëpër botë. Nuk ka
posaçërisht një përzgjedhje gjinore të vendit të tyre
të stabilizimit. Femrat shqiptare nuk ka ndodhur të pëlqejnë
më shumë nga gjinia tjetër, ajo e meshkujve, ta nisin jetën
më shumë në Gjermani apo Itali dhe më pak në Greqi.
Përzgjedhjet e tyre përcaktohen nga standarte të tjera. Kur
janë gra ato shkojnë pas burrave dhe familjeve të tyre, kur
janë vajza tashmë orientohen nga studimet e larta. Megjithatë
në raport me vendet e tjera ajo që po ndodh në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës është disi më e veçantë. Atje
bashkëkombësja jonë po përparon me një shpejtësi
shumë më të lartë se gjetkë. Nuk është se ky
lehtësim në SHBA u mohohet meshkujve. Edhe ata, falë
kulturës kombëtare të amerikanëve dhe nivelit të ngritur
të demokracisë, mbrodhësojnë më shpejt se,
përshembëll në Greqi apo Francë. Por ndërsa për
"djemtë" kjo nuk përbën ndonjë lajm (ata përherë
mbeten të privilegjuar) kumt shumë të gëzuar parathotë
progresi i madh i bashkëkombaseve tona. Më saktë: i
shqiptaro-amerikaneve.
Tek to një shoqëri si e jona, akoma në shpërget për të
zbuar maskilizmin tradicional aziatiko-lindor, tashmë edhe i
ngërdhedhur si gjoja modern, mund të dallojë shumë mirë
se sa shkëlqim ka femra jonë. Shqiptaro-amerikanet të
bëjnë të bindesh se sa hak u ka ngrënë atyre shoqëria
jonë, paragjykimet që vegjetojnë në të.
Shqiptaro-amerikanet të shtrengojnë të sjellësh ndërmend
se të parfumuara dhe të veshura me elegancë ato kanë ditur
të mos harrojnë se janë po ashtu Shote Galica. Kur Kosova
kërkonte të bashkoheshin me çështjen e çlirimit të saj
ato nuk u gjendën vetëm në demonstrime, mbledhje fondesh,
shkrime nëpër gazeta e debate nëpër televizionet lokalë,
por edhe në kampet e grumbullimit dhe të përkujdesjes për
refugjatët bashkëkombas. Nga kjo eksperiencë ka dalë edhe
libri "Children of Kosova-Stories of Horror" i njërës nga
më të talentuarat shkrimtare shqiptaro-amerikane, Albana Lifschin.
Ky libër tashmë është mes letërsisë që u
rekomandohet nxënësve të shkollave të Nju Jorkut.
Po të kesh korespondencë me një nga veprimtaret më të
spikatura të tyre, Merita Bajraktari McCormack, kupton
menjëherë finesën e komunikimit dhe të bashkimit me
njëri-tjetrin, me të cilën shumë nga ne, këtu në
tokën mëmë, nuk po mësohemi dot ta bëjmë mirë. Duke
jetuar në një vend me superteknologji dhe ku veprimtaria
nëpëmjet internetit zë një vend të dukshëm, Merita me
shoqet e saj shqiptaro-amerikane ka krijuar një forum, i cili quhet
"Bota e Gruas". Më shumë se për debat, atje ato
shkembejnë për njohje krijimtarinë e tyre. Janë autore
poezish, tregimesh, librash, reportazhesh, artikujsh problemorë.
Quhen Aida Dismondy, Afërdita Dauti, Argentina Tanushi, Aneta Xhiku,
Blerta Alikaj, Ejvis Maria Xhajanka, Eleonora Gjoka, Elmira Muja, Julia
Gjika, Medije Vraniqi, Mimoza Dajçi, Teuta Shabani, Viollandi (Landa)
Prifti. Pikërësisht në këtë forum aderon një nga
poetet më të ndjera, Ilirjana Sulkuqi, bashkëpunon një nga
zërat më të bukur, Justina Aliaj, jep ide të vyera Kozeta
Zylo, vazhdon të jetë shumë e frymëzuar dhe penë e
ngrohtë e njerëzore Rozi Theohari. Tek "Bota e Gruas"
bën pjesë edhe Rajmonda Moisiu, tashmë një publiciste
aktive, puna e bukur e të cilës, mes librave që ka botuar,
është një cikël me intervista shumë të hollësishme
për shqiptaro-amerikanet e spikatura. Kur e gjithë kjo punë
të dalë në një libër, do të jetë një surprizë
e kendshme dhe po aq dëshmi se tashmë ekziston një grup
shkëlqimtar i diasporës shqiptare në botë, ajo e
shqiptaro-amerikaneve.
Të jesh e tillë, pra shqiptaro-amerikane, do të thotë të
të shkojë mendja edhe për gjëra që jo përherë u
venë për mbarë burrave në vendin tonë, kur janë, por
edhe kur nuk janë hipur në pushtet publik. Një nga librat e
fundit që ato bënë sëbashku e titulluan "Antologji
për Nënën". Shumica ishin vetë nëna dhe me
poezitë, skicat apo tregimet, u falnin mirënjohje nënave të
tyre. Shqiptaro-amerikanet me spikatjen dhe autoritetin që po
krijojnë në diasporën tonë në SHBA, edhe listë-forumet
në internet apo shoqatat, ku grumbullohen, i emërtojnë me emrat
e të shquarave Tefta Tashko Koço apo Motrat Qiriazi. Do të
mjaftonte vetëm një pjesë e kësaj kulture të hynte në
Shqipëri dhe do të shihnim si femra jonë do të shpëtonte
përfundimisht nga gjysmerrësira e harrimit vlera shumë të
mëdha kombëtare. Nuk qendrojnë të fshehura, sepse ka
ndonjë politikë të posaçme shtetërore ndaj tyre. Shteti
është fajtor e përgjegjës për pjesën e vet, pra për
mungesën e pasionit të veçantë që t'i hapë
rrugë të plotë femrës shqiptare, por gjithçka tjetër
është mëkati ynë i përbashkët. Jemi ende shumë
shpirtkërrusur nga paragjykimet ndaj inteligjencës, freskisë
së mendjes, aftësisë organizative, talentit social e sidomos
politik të saj.
Shqiptaro-amerikane do të thotë një shembëll, një
sedër që duhet të ngacmojë e verë në lëvizje vendin
tonë teksa lakmon hyrjen e shpejtë në Bashkimin Evropian. Nuk
do të thotë, të jesh shqiptaro-amerikane, vetëm si pianistja
e suksesshme Hermira Gjoni, e nderuar me medalje nga \\\"Federazione
Campania - USA\\\". As si vetëm Merita Halili, tingulli i ëmbël
i të zërit të të cilës me kohë ka dalë për
publikin vendas. As si mjekja pediatre Linda Ciu (Afezolli), tashmë
me klinikë për shqiptarët apo si doktoresha e re Lindita
Çoku, profesionalizmi i mahnitshëm i të cilës u bë
popullor edhe nga gazeta e shumënjohur "Illyria" në Nju
Jork. Të jesh shqiptaro-amerikane po ashtu nuk do të thotë
vetëm të kesh në krah një zonjë të të nderuar si
Anna Cohen, me kombësi hebre, qytetare nderi e Vlorës, të
cilën për vlera të veçanta dashurie për vendin tonë
disa ditë më parë e priti dhe e përgëzoi posaçërisht
Konsulli ynë në Nju Jork, Albert Jerazi.
Të jesh shqiptaro-amerikane nënkupton në fund të fundit
të duash modelin Hillari Klinton. Kjo do të thotë se ato
tashmë janë të vetëdijshme se e vlejnë më shumë nga
sa u kemi dhënë, kur ishin këtu. Kjo do të thotë po ashtu
se, po nuk u vonuam duke ua rikthyer të gjitha të drejtat reale
zonjave dhe zonjushave që kemi në atdhe, ato do t'i marrin
vetë. Duke qënë femra, pra edhe të buta e të
ëmbëla, nuk do të ndodhë asnjë lloj lufte. Thjesht një
mengjez do t'i kemi presidente apo kryeministre të vendit.


Ylli Polovina

No comments:

Post a Comment