Saturday, May 18, 2013

Ne Zot ne besojme


Në Zot ne Besojmë


Merita Bajraktari

Ishte mesi i viteve 1980. Për ne, shqiptarët që kemi jetuar
atë periudhë në Shqipëri, e mbajmë mend mjaft mirë
vuajtjen e madhe ekonomike dhe atë shpirtërore. Ekonomikisht vendi
ynë ishte më i varfri dhe po shkonte drejt urisë,
shpirtërisht ne ishim bosh... Truri ynë ishte krejtësisht i
shpëlarë me ideologjinë marksiste-leniniste dhe për brezin
tim që ishte ende adoleshent ose në rininë e hershme, në
atë periudhë për të cilën unë flas, ishte një
periudhë konfuze, një periudhë paqartësie dhe stresi të
jashtëzakonshëm.
Në atë periudhë unë i kisha shpëtuar "për nji fije"
regjimit nga duart dhe u gjenda studente në ILB Kamzë, sot
Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Flas i kisha shpëtuar, se biografia ime "ishte për ditë të
hallit", sipas sekretarëve të Byrove dhe i shpëtova për
shkak të mesatares sime maksimale në të katër vitet e
shkollës së mesme. Kështu mundësova diplomimin tim në
atë kohë të vështirë. Mbas vetes lashë me dhjetëra
shokë e shoqe që kishim pothuaj të njëjtën biografi, por
që mesatarja e tyre ishte diçka rreth 9.3. Ne ishim një grup i
vogël studentësh që shiheshim me kujdes e "ruheshim" se
çfarë do thoshim. Ne ishim ata që në marksizëm apo
histori të Partisë së Punës së Shqipërisë s'mund
të merrnim kurrë dhjetë, se automatikisht ulej një ose dy
nota nga biografia.
Dita e parë që shkela në mjediset e ILB, dikush më orientoi
drejt një burri të qeshur, të mbushur e me flokë të
rëna.
- Shikoje atë burrin, është filozof i madh, ateisti numër
një. Ai është Hulusi Hako, të cilin Papa Gjon Pali e ka
dënuar me vdekje në mungesë....
- Çfarë, - thashë unë, duke hapur sytë, - Vatikani nuk
dënon me vdekje, i ke mendtë në koke ti...?
- E kam të sigurt, - më tha bashkëbiseduesi, - është
filozof që ia ka sjellë Vatikanit në majë të hundës,
me argumente i ka treguar që feja me të vërtetë është
"opium" për popullin...
E thashë mirë..., do ta mbaj mend.... Dhe, që atëherë s'e
kam harruar profesorin... Sidomos në këto dy dekadat e fundit, e
kujtoj me shpresë se mbase ai e ka harruar ateizmin dhe ka gjetur
Zotin...
Ishte viti i tretë i fakultetit 1987, filloi pluralizmi i ideve,
pluralizmi i mendimeve..., ju kujtohet???
Dhe, ne, studentët në ILB, ishim në atë vorbull, në
atë ekzaltim, në atë shpresë që një ditë do thoshim
diçka lirisht më në fund. Shpresonim....
Ishte leksion në një nga lëndët marksiste....
- Kush ka pyetje, - si zakonisht pyeti profesori im i Marksizmit. Ai
porsa kishte shpjeguar diçka "dialektike", se gjithçka nuk
zhduket, por transformohet.
- Ja, - thoshte profesori, - djegim drurin, bëhet hi e hedhim hirin
në fushë me grurë, na jep drithë se e merr drithi në
formën e fosfatit.... A si e ka emrin....
Po kukurisnim ne grupi "rebel" dhe krahasonim me mjetet e
përshtatshëm që na dukeshin përkatës për momentin...
G. ishte një student që erdhi në vitin e tretë nga një
fakultet tjetër. Po, transferim babai në prodhim, transferim i
biri nga (mbase) Inxhinieri Elektronike në Ekonomi Bujqësore.
- Shpirti, profesor, në çfarë transformohet? - ngriti zërin
një nga studentët afër meje.
- Çfarë tha profesori?
Heshtje...
- A ka pyetje tha ia?
Heshtje sërish...
- Pra e mbyllim, e vulosim për sot, Zot nuk ka dhe shkoni e jetoni
për sot, kur vdes njeriu mbaron jeta e tij. Pra nuk ka Zot e
thamë. Ka vetëm... E, nuk po e sjell me detaje shpjegimin e
tij....
G. kishte një adhurim special për Amerikën dhe mbante me vete
gjithnjë simbole amerikane. Atë ditë kishte një
dhjetëdollarëshe dhe ndërsa profesori thoshte "s'ka Zot,
transformimi është natyral, mëma natyrë, e të tjera",
G. nxori dhjetëdollarëshen dhe më tha mua me zë të
ulët: - Merita, ti di anglisht, ç'do të thotë "In God We
Trust"?
Mezi e mbajta të qeshurën dhe megjithëse unë isha e sigurt
që G. e dinte, unë ia shkrova në një copëz letër me
gërma të mëdha si për të ritheksuar atë që ne na
mohohej përditë, "Në Zot ne besojmë".
- Keni pyetje ju andej nga e majta? - pyeti profesori filozof duke u
drejtuar nga qoshja jonë.
G. e kroi pak kokën dhe tha: - Profesor na tregove se çdo gjë
transformohet, po shpirti pas vdekjes ku shkon profesor?
Profesori nuk ndërroi ngjyrë as u inatos, por zgjati krahët e
sikur u shtriq disi nga podiumi dhe tha: - Ah ti, e di ku e ke, e di ku
e ke fjalën (mbase i referohej "fjalëve" të hapura që H.
Hako ishte themeluesi i ateizmit dhe ne studentët e kolegët duhet
të ishim në ballë në mbrojtje e në manifestim të
ateizmit)…
- Kemi me dhjetëra studentë këtu që duan pyetje e
përgjigje serioze. Dialektika është gjë e madhe R... dhe i
përmendte G. mbiemrin me një të qeshur të çuditshme…
Kështu kalonin ditët dhe ne ushqeheshim me urrejtje për
fenë, për Zotin e vërtetë, për Papa Gjon Palin e Dytë
dhe paraardhësit e tij, për klerikët e institucionet fetare
në përgjithësi. Për Papën, këtë udhëheqës
shpirtëror të miliona njerëzve. Ne ushqeheshim me helm
fjalësh në shkolla. Ne ishim tjetër, ne s'na duhej Papa i
Romes, ne kishim "Papët" tanë, sipas të cilëve, ai Papa i
vërtetë për popujt ishte kriminel, gjakatar, armiku numër
tre i Shqipërisë pas Rusisë e Amerikës. Dhe, ne dëgjonim,
hapnim sytë, mësonim broçkulla.
Dëgjonim në gjuhë të huaja radiot fshehurazi, netëve
vonë, me zë të ulur në maksimum. Papa tregohej ai që
ishte, dëgjonim lutjet e tij të vërteta për ne, thoshim pse
na gënjejnë në shkollë? Por kush guxonte të pyeste
profesorët?
Një ditë sërish ne, "rebelët" biografi-keqët,
"korruptuam" një pedagog që na mbante disi afër, ishte
shpirtmirë, por ama dhe i "binte qylit" dendur, mbase nuk kishte para
të mjaftueshme për të pirë ekstra kafe shoqëruar me
petulla me sheqer në kafen e institutit. E qerasëm me pare "borxh"
nga latat tona, se dhe ne ishim me para jo me "bursa", por ia
vlente të qerasnim profesorin, na pëlqente aventura dhe rreziku.
Natyrisht matnim hapin mirë, por e dinim që mund të ishim disi
më të hapur me të. Pyetja jonë ishte: - Profesor, ku shkon
shpirti pas vdekjes?
G. gjithë humor e mbështillte profesorin vocërrak me trupin e
tij dhe ishim në sekret të plotë:
- "Djema dhe vajza shihni punën, mos bëni shaka me të tilla
gjëra, ju e dini që ne jemi ateistë, nuk besojmë në
shpirt. Ka veç trup, ai vdes, ai transformohet, kocka e mos më
pyesni më të tilla pyetje të rrezikshme.
- Po pastaj, - i tha M., një studente që erdhi pesë vjet me
vonesë, ishte nga Jugu.
- Pastaj profesor, të lutem na trego si mendon ti apo je i një
mendjeje me profesorin e dënuar nga Vatikani?
- Ohu..., më erdhi ora e leksionit mua, ikni se u bëmë vonë,
mos më ngatërroni me këto gjëra. Hajde atë kafen ma
bëj petull ti L..., e ha rrugës, - iu drejtua një studenti nga
Laçi. Dhe na la pa përgjigje dhe profesori tjetër i
Filozofisë, duke shijuar petullën në rrugicat e institutit.
U diplomuam, u emëruam ku donte organizata bazë e partisë apo e
rinisë dhe përjetuam shokun e madh, tërmetin, revolucionin
përmbysës. Demokracia erdhi dhe tek ne!
5 prill 1993... Papa viziton Shqipërinë. Unë punoja në
Tiranë atë kohë, zyrën e projektit e kishim në
Ministrinë e Bujqësisë dhe pata mirësinë të shoh
Papën në makinën e tij antiplumb pothuajse jo më larg se 3-4
metra dhe nuk e di si ta përshkruaj atë që kam ndjerë. Mbaj
mend Adën, mbeskën time 4-vjeçare që drejtonte gishtin nga
shkonte makina e Papës dhe bërtiste: "Papa, Papa", dhe e
ëma e saj e emocionuar i thoshte se ai është i dërguar nga
Zoti. I shihja nënë e bijë, gëzoja për vete dhe për
to, por më tepër më qeshte shpirti im. Vizita e Papës për
ne ishte shpresë për vazhdimësi të tilla, pasi ishin shenja
drejt lirisë së ëndërruar.
Një vit më vonë, unë pashe Papën të dielën për
Pashkë, më 10 prill 1994, në sheshin e SHEN PJETRIT në
Vatikan, pasi John dhe unë të nesërmen vumë kurorën në
Romë.
Prindërit e tim shoqi ishin kaq të emocionuar. Lot pashë në
sytë e tyre tek filmonin Papën dhe tek bisedonin me
njëri-tjetrin. Ndërsa unë mendoja se ç'mund të bënte
profesori im nëse do ndodhej në këtë moment kur mijëra e
mijëra njerëz prisnin përshëndetjen dhe bekimin Papal për
Pashkë.
Serish unë mësoja kush ishte Papa Gjon Pali i Dytë. Ishte po aq
bukur, po aq paqësore, po aq shpirtmbushëse të përjetoja ato
çaste. Pas kaq vitesh, tashmë në emigracion, plotësisht e
lirë në zgjedhje informacioni, pa imponim, më ka mjaftuar të
mësoj kush ka qenë Papa Gjon Pali apo kush janë kardinalët
në Vatikan apo institucionet dhe udhëheqësit e besimeve të
tjera fetare në të gjithë botën. Po kështu kam
mundësuar të zgjedh rrugën time drejt Zotit dhe ndjehem
absolutisht e lumtur për këtë. Ashtu si unë, ndjej se
janë me mijëra ata shqiptarë që kanë gjetur
qetësinë e vendin e tyre në zgjedhjen e besimit dhe rrugën e
tyre drejt Zotit. Nuk e di se çfarë bëjnë netëve të
vetmisë apo në moment meditimi profesorët e mi të
filozofisë marksiste-leniniste. A ju shkon ndonjëherë mendja se
mbase Zoti ekziston?

No comments:

Post a Comment